3 Shkurt, 2023

A jemi afër zgjedhjeve të parakohëshme lokale? Dhe një ofertë për Bashën

 A jemi afër zgjedhjeve të parakohëshme lokale? Dhe një ofertë për Bashën

Kryetari i Partisë Demokratike Luzim Basha nuk ka asnjë fitore elektorale që nga dita kur Sali Berisha e ndihmoi plotësisht të ishte në krye të demokratëve.

Me Berishën kryeministër, Basha pati të vetmen fitore të minutave të fundit kur konkurroi ndaj Edi Ramës për kryetar bashkie dhe ktheu rezultatin me 10 vota plus përmes rinumërimit të votave të pavlefshme. Madje me këtë fitore mburret edhe sot ndaj Ramës kryeministër. Por kjo është fare e pamjaftueshme sepse që kur ai u bë lider i opozitës dhe Rama kryeministër, Basha nuk pati asnjë fitore. Rreshtoi humbje spektakolare njëra pas tjerës, domethënëse dhe zhgjënjyese për demokratët, të cilët besuan se me Lulzim Bashën ishin shumë afër fitores së “Republikës së Re” dhe duhet të ktheheshin në shtëpi.

Tani që babai i tij politik Sali Berisha i ka dalë kundër, demokratët ia përmendin gjithnjë e më shpesh si një pretendim për ta larguar. Madje edhe të lëkundërit dhe ata që ende janë brenda PD-së, por as me Berishën dhe as me Bashën, janë të lodhur nga medalja e rëndë e humbësit në gjoksin e Lulzim Bashës.

Por nëse disa herë më parë, Luzim Basha me Berishën në hije, ka mundur ta anashkalojë këtë fakt për të mbajtur karrigen e kryetarit, sot kjo është e pamundur. Sepse asaj karrigeje që dikur ia mbante fort Sali Berisha, tani është vetë Berisha që kërkon t’ia presë këmbët!

Ndaj, Luzim Bashës i duhet patjetër një fitore elektorale nëse duhet të mundë Sali Berishën, i cili po kërcënon hapur dhe fort. Fitorja i sjell pushtet dhe mundësi ndikimi dhe çdo demokrat që dikur votonte edhe LSI-në kur ajo ishte afër në pushtet me socialistët, e sjell më afër tij. Era e pushtetit është mjaft ndjellëse.

Mundësi e parë, më e shpejtë dhe deri diku me ligjitimitet poltik apo moral, janë zgjedhjet bashkiake të parakohëshme.
A ka mundësi që kjo të ndodhë? Deri tani në horizont më shumë duken “Po“-të sesa “Jo”-të.

Demokratët nuk morën pjesë në zgjedhjet e fundit lokale. Ato u zhvilluan vetëm me një palë. Sot ata janë plotësisht të papërfaqësuar dhe pa asnjë ndikim në pushtetet lokale, të cilat qeverisen nga një bllok gati monopartiak dhe të deformuar të sistemit, megjithëse jo ilegal. Do të ishte e moralshme, e pëlqyeshme dhe një mundësi për të korrigjuar defektin për ribërjen e zgjedhjeve të tilla. Aty Luzim Basha do të kishte një mundësi të rifitonte pushtet.

Sa i madh do të duhej të ishte ky lloj pushteti? Aq sa mund të fitojë vetë si Parti Demokratike por dhe aq sa mund ta lejojë enkas edhe pozita, ose më saktë Edi Rama. Gazeta “Si” përmes një editoriali ditën kur Lulzim Basha vendosi ta përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, shkruajti se beteja do të jetë e vështirë, siç edhe po shohim dhe se Luzim Basha nuk e bën dot pa u marrë vesh edhe me Edi Ramën.

Që fitorja e Luzim Bashës të jetë aq e mjaftueshme sa të ngrohë demokratët dhe t’i bëjë ata të shtrëgojnë radhët rreth tij dhe jo të firojnë drejt ish-liderit të tyre Sali Berisha, duhet të kapë bashki të mëdha ku potencialisht ka mjaft votues demokratë, por ku ka edhe një histori fitoreje në të shkuarën. Mund të jenë Durrësi, Elbasani, por pse jo dhe kryeqyteti, Tirana. Kjo fitore do ta kishte alibinë bindëse, megjithëse mund të jetë e dhënë në tavolinë sepse nuk vjen nga një “bazë zero” ku demokarët nuk kanë pasur asnjëherë fitore; do t’i bënte të besueshme pretendimet e Bashës se iu vodhën vota sa herë që humbte dhe do t’i kthente besimin e humbur me një të rënë lapsi, në të njëjtin proporcion që ai e ka humbur për disa vite rresht.

Aktualisht ai nuk i fiton dot sepse ka partinë e dobët, autoritetin si kryetar të diskutueshëm dhe ka një kërcënim të madh brenda që është Berisha. Ai nuk mundet dot ta bëjë pa “mëshirën” e Edi Ramës dhe ndoshta dhe përfitimet që vetë kryeministri mund të ketë nëse i lëshon këto qytete duke kërkuar diçka tjetër në këmbim, siç mund të jetë qeverisja e qetë në mandatin të tretë. Blerja e kohës për të gjetur pasuesin dhe realizimi i disa projekteve të mëdha, lidhet drejtpërdrejt me egon e tij si kryeministër.

Sot ka mjaft deklarata në eter mes të dy liderëve e veçanërisht nga Edi Rama, për një qasje mes njëri-tjetrit përmes një strategjie të re bashkëpunimi, që kur socialistët fituan mandatin e tretë. Megjithëse kryeministri është pyetur disa herë sesi do të jetë kjo mënyrë, ende sot është e paqartë. Ka disa propozime nga Luzim Basha që po shfaqen si parakushte për një bashkëpunim, siç është vettingu për politikanët. Por deri në këto momente nuk ka përparsime, megjithëse nuk ka kundërshti për t’u afruar.

Meqë politika është pragmatiste, marrëveshjet duhet të kenë të qarta edhe llokmat e fitores për secilin. Ndaj, zgjedhjet lokale mund të jenë një projekt-ide.

Nga ana tjetër natyra e retorikës politike që po përdoret duket e ngjashme me atë që shoqëron çdo herë marrëveshje të tilla ku, nën obrellën e një strategjie për qeverisje të mirë të Shqipërisë, strehohen llogari të pastra politike dhe elektorale dhe luftëra personale. Kjo frymë të bën të arsyetosh se diçka do të ndodhë dhe ndoshta edhe zgjedhjet lokale të parakohëshme do të ndodhin. Se sa shpejt? Kjo varet jo vetëm se sa i madh do të bëhet për Lulzim Bashën kërcinimi Sali Berisha por dhe se sa i gatshëm është Edi Rama që me kryetarin e PD-së të bëjë një pakt që përveç gjithë të tjerave, i heq Bashës, Sali Berishën e kapur fort nëpër këmbët e tij.

Por nuk duhet harruar asnjëherë se gjithsesi shumica e përftimeve që mund të vijnë nga zgjedhjet e parakohëshme, do të varen nga vetë Lulzim Basha. Ai duhet t’i japë përgjigje vetes dhe demokratëve se sikur Rama t’i “falë” edhe Tiranën e cila ka buxhetet, ekonominë dhe fijet e biznesit më të forta në gjithë Shqipërinë: A është i gatshëm ai të futet në garë? Nëse jo, Sali Berishën i cili po bëhet me shpejtësi më i pëlqyeshmi për publikun e rrjeteve sociale, duhet ta përballojë i vetëm!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *