A është Sali Berisha një hap larg SPAK-ut?

Sali Berisha, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët Argita dhe Shkëlzeni janë shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pse? “Sepse aktet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri”.
Ajo që dihet si drita e diellit është se DASH nuk flet kurrë pa prova.
Këtë gjë e bëri pak ditë më parë edhe ndaj Tom Doshit për të cilin Ambasada Amerikane dorëzoi një dosje të dhënash në prokurorinë shqiptare.
“Në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e DASH.
Pyetja që lind është? A do të pasojë kjo deklaratë e DASH një lëvizje konkrete nga ana e SPAK?
Sepse DASH flet për shpërdorim të fondeve publike nga ana e Berishës dhe për pasojë “nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë”
Çfarë disponon Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit për Sali Berishën dhe familjen e tij?
A lidhet kjo deklaratë e DASH me rihapjen e cështjes “Gërdeci” ku Fatmir Mediu do të thirret për të dëshmuar sa kohë që në deklaratën e DASH thuhet se Berisha pasuroi dhe aleatët e tij?
A është Gërdeci fillimi apo indicia e një hetimi të hollësishëm ku pas saj mund të fshihen konto bankare apo transaksione të dyshimta që e lidhin me familjen e tij?
A u përfshi Sali Berisha sërish në listën e kandidatëve për deputet thjesht për të qenë mburojë para organeve të drejtësisë?
A i hapi DASH rrugën SPAK-ut dhe në të njëjtën kohe e lehtësoi atë nga një paragjykim i mundshëm ndaj saj (nëse do të thërriste Sali Berishën) siç ka ndodhur edhe sot e kësaj ditë ndaj këtij organi nga opozita? Të gjitha përgjigjet janë të hapura.
Ajo që është e sigurt tashmë është se Sali Berishës po i hapen letrat “e vjetra” dhe pas tij mund te dalin edhe emra të tjerë të njohur të politikës.
Me deklaratën e DASH mesazhi është i qartë edhe për këdo politikan tjetër i majtë apo i djathtë qoftë.
Askush nuk është i paprekshëm përballë drejtësisë.
Emri i Sali Berishës e tregoi këtë gjë.