A do ta pranojë Basha ndihmën e Ramës në 8 janar, për t’u mbrojtur nga Berisha?

Në pamundësi për t’i dalë përballë Sali Berishës përmes ballafaqimit me demokratët, Lulzim Basha iu përgjigj paraardhësit në dy mënyra. Fillimisht duke i delegjitimuar aksionin politik, me pretendimin se firmat për kuvendin nuk njiheshin nga institucionet, se vetë Kuvendi i 11 Dhjetorit ishte thjesht një miting, se ndryshimet statutore ishin nul, apo se referendumi që e shkarkoi ishte i parregullt. Por sa më shumë kohë kalon, aq më shumë Basha po i mëshon një retorike tjetër: kriminalizimit të mbështetësve të Berishës.
Demokratët që mbushnin sallat e Foltores dhe deputetët që e mbështetën u identifikuan si ish-drejtorë dhe ish-ministra që mbanin mbi supe mëkatet e korrupsionit të tetë viteve qeverisje. Kjo e korrupsionit, ishte ndër akuzat më të lehta për mbështetësit e Berishës. Shumë shpejt ata u lidhën me emra të njohur të krimit, sipas mbështetësve të Bashës.
E tillë ishte akuza për angazhimin e Suel Çelës në mbledhjen e firmave për Kuvendin e 11 Dhjetorit. Sipas Gazment Bardhit, delegatët e Elbasanit i kishin rrëfyer se ishin thirrur nga Suel Çela, i cili i detyronte përmes kërcënimeve të firmosnin mbështetjen për Foltoren. Bardhi nuk u nxitua ta përfshinte Berishën në këtë skemë, por kërkoi reagimin e tij.
Tjetër njollë për Foltoren ishte ajo në lidhje me Keltis Krujën, ish-deputet i PD-së. Sipas Bardhit, Kruja kishte lidhje me Aqif Rakipin (ish-deputeti që u prek nga ligji i dekriminalizimit) dhe kishte punuar në fushatën e Partisë Socialiste, për zgjedhjen e Orlando Rakipit në Vorë. Ish-deputeti Keltis Kruja e mohoi akuzën, duke thënë se kishte kontribuuar që 15 vjeç në PD.
Fatjon Dauti ishte një nga shoqëruesit e Sali Berishës, në datën 21 Dhjetor. Ai shpertheu derën e një prej zyrave të selisë së PD, ku Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët. Në media qarkulloi menjëherë e kaluara e Dautit në Angli, ku autoritetet e kishin pagëzuar me inicialet B9. Dautaj ishte dëbuar nga Britania e Madhe pas dyshimeve se qe i përfshirë në një rrjet kriminal të trafikut të drogës. Që nga ai moment, mbështetësit e Berishës, sipas Bardhit janë pjesë e grupit kriminal B9.
Myftar Lumeshi përmendet si njohje e Fatjon Dautit në Britaninë e Madhe. Por një foto e Lumneshit mes shoqëruesve të Berishës u shpërnda menjëherë në disa media, ditën kur zyra e shtypit e Partisë Demokratike bëri një ndër akuzat më të rënda ndaj familjarëve të Berishës, kur i akuzoi për pastrim parash dhe lidhje me grupin B9.
Edhe dje (5 janar) Gazment Bardhi akuzoi sërish mbështetësit e Berishës si një grupim kriminal, kur tha se dera e selisë së PD-së është e hapur për demokratët e sakrificave, por “do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo trafikant droge që në çdo shëtitije, ka qenë në krah të Berishës dhe në mbështetje të tij”.
Retorika e kriminalizimit për mbështetësit që Berisha ka në PD, tenton ta zhbëjë aksionin e tij politik. Në vend se ta sjellë rrugëtimin e Berishës nga Foltorja, tek Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe më pas tek Referendumi si një lëvizje politike, Basha po synon ta prezantojë atë si një lëvizje kriminale në prag të përballjes në 8 Janar.
Mbetet për t’u parë, nëse këto deklarata janë thirrje dëshpëruese para largimit nga zyra që e mbajti për 8 vjet apo Basha po përgatit terrenin që në 8 Janar të ketë mbrojtjen e Policisë së Shtetit.
Ofertën, Rama ia bëri që në 11 Dhjetor, ditën kur selia e PD-së u rrethua nga blindat dhe forcat speciale, të gatshëm për ta mbrojtur kryetarin nga delegatët e partisë.