2 Shkurt, 2023

A do ta braktisë Meta, Saliun? Çfarë do të ndodhte në rast se arrestohet njëri prej tyre?

 A do ta braktisë Meta, Saliun? Çfarë do të ndodhte në rast se arrestohet njëri prej tyre?

Nga Bedri Islami

Sado që mund të duket paradoksale dhe deri diku e pamundur, në fakt mund të shfaqet shumë shpejt, më së largu pas zgjedhjeve të ardhshme vendore :ata, të dy, do të jenë përballë njëri tjetrit; i pari, Meta, pa asnjë funksion politik të rëndësishëm – tani askush nuk e merr më seriozisht LSI-në , gjithnjë me dyshimin se mund të shpallet non grata, apo edhe më tej, të ketë fatin e hidhur të njeriut politik që dënohet si keqbërës ordiner, gjithë pezëm dhe helm përse nuk ia “ këputi ” qafën që në fillim Edi Ramës, dhe dyshues ndaj Berishës, plot mëkate të mëdha , të cilat mund të përkthehen vetëm në gjuhën e SPAK-ut; i dyti, Berisha, ri futur në lojën e fundit të jetës së  tij me shpresën se mund të përmbysë diçka në çastin e mbramë, nisur nga aksioma se “fitimtari nuk gjykohet”, dyshues për të gjithë se, në rast humbje mund ta braktisin, dhe i pari në to do të ishte Ilir Meta, me kokën nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe me thikën për të bërë deri në fund mëkatin e tij politik, i furishëm dhe me ngjizjen e entuziastit edhe tek më të humburit ndër ato që e shohin si njeriun që mund të jetë nesër përsëri dikush.

Përballë njëri tjetrit ata janë pak të rrezikshëm; të dy së bashku ata përbëjnë vetë rrezikun.

Të ardhur në politikë nga bindje të majta, më saktë, qëndrime të majta, pasi që të dy fillimet e politikës i kanë në monizëm, i pari përmes familjes, i dyti drejt për së drejti, të dy ruralë, nga zonat e thella në skaje të ndryshme, për pak kohë, do të bëhen të pranishmit e domosdoshëm në pluralizëm, njerëz të fuqishëm, ekstremistë të pasur, maniakë  dhe sundues të oligarkisë politike e financiare, ndarës pushteti dhe grabitës të pa shoq.

Pasuesit e Ilir Metës në strukturën e tij politike janë të gatshëm të bashkohen me këdo që u sjell një tortë pushteti, atyre nuk u bën përshtypje nëse në 31 mars janë berishistë dhe në 1 prill zgjohen edramistë, mjafton të kenë pjesë të pushtetit. Për to asgjë nuk është e rëndësishme veç kësaj. Duke qenë dikur pjesë e së majtës, ata u shkulën prej saj kur u mbaroi kazani i pushtetit dhe u bashkuan me Berishën kur ai u afroi këtë kazan.

Pasuesit e Berishës e dinë se Ilir Meta është njeriu që politikën e ka si mall financiar. Ai e jep kush afron më shumë dhe, pikërisht këtë nuk e kanë dashur kurrë militantët fanatikë të Berishës, që është edhe skalioni më i fuqishëm i tij. Kushdo e di se Ilir Meta edhe me katër deputetë merr 25 për qind të pushtetit, dhe se, kur e ndjen se kësaj hise i erdhi fundi, kthehet lehtësisht në pikën e tij fillestare. Askush deri tani nuk ka bërë lojë më mizore me politikën se sa ai, dhe, askush tjetër nuk e ka shpërfytyruar politikën në postin e një bakalli që shet e merr sipas ofertës. Ilir Meta pa pasuesit e Berishës është i humbur , por edhe pasuesit e së djathtës e dinë se me Ilir Metën pushteti është e vështirë të merret, por, edhe nëse merret, ai duhet ndarë në pjesë të pa barabarta.

Arrestimi i mundshëm i Berishës, nëse ndodh ndonjëherë kjo, do të sillte në sheshe mijëra protestues, që shohin tek ai shpresën e fundit, pas kaq viteve lodhje dhe zhgënjim të përhershëm . Nuk do të ndodhte përmbysje, por do të kishte në një farë kohe tronditje, më pas qetësi. Do të ishte si rënia e një godine të madhe, e cila është në të shembur dhe vetëm ri ngritja e tij e ka mbajtur në këmbë. Berisha është i rrezikshëm kur bie, jo kur ngrihet.

Arrestimi i mundshëm i Ilir Metës, nëse ndodh ndonjëherë kjo, dhe, duhet të ndodhë, nuk do të sillte asnjë tronditje. Ai nuk sjell as shpresë dhe as nuk ka ngjizjen e ri ngritjes. E majta në pushtet do të gëzohej hapur, e djathta do të gëzohej fshehtas dhe do të protestonte haptas, me shpresën se ky ishte kurbani i opozitës.

Tani për tani ata duken si një dyshe dashurie plot pasion që mezi presin të takohen edhe një herë. Berisha ka qenë gjithnjë dobësia e Ilir Metës, megjithëse e dërgoi për disa orë në qeli para burgimi. E ka shprehur sa herë që ka menduar se duhej dhe ka menduar se cilat dosje të tij ka ende në fshehtësinë e tij doktori i politikës që e sëmurë gjithë vendin.

A do të jetë një dyshe pasionante deri në fund apo Ilir Meta po bëhet gati të lëshojë diku tjetër spirancën e shpëtimit të tij?

Berisha beson pak tek Ilir Meta, pasi, sa herë që e ka besuar me të tepërt, aq herë e ka ndjerë se ia kanë hedhur. Ai e di se njeriu që prej t’i bashkohet në gusht nuk kërkon vetëm rolin e ndihmësit. Shumë kohë më parë ai ka shpallur devizën e tij , të jetë lideri i gjithë opozitës. Tani kur LSI nuk është më as opozitë, as pushtet, vetëm pamja e kuruar e zonjës Kryemadhi përmes qindra mijëra eurove , ai mund të jetë lideri i kësaj pakice, të cilën, duhet pranuar, e shkërmoqi Edi Rama, por e vështirë, në mos e pamundur, të jetë qoftë edhe numri i dytë i krejt opozitës. Berisha kërkon gjithçka për vete, asgjë për të tjerët. Ai ka nuhatjen e njeriut të tradhtuar disa herë – asnjë forcë politike në këtë botë nuk është ndarë e pajtuar aq shpesh – edhe sot e kësaj dite – sa ka ndodhur me opozitën e tij. Ai i ka ndarë vetë, i ka thirrur vetë, i ka mbajtur në grusht dhe , kur ka hapur gishtërinjtë ka vënë re se “ zogjtë” kanë fluturuar. I ka mallkuar, i ka sharë, i ka lëçitur, i ka rrahur, e pastaj, përsëri i ka mbledhur. Ilir Metën , po ashtu, e ka mallkuar si njeriun e krimit, e ka sharë në shtatë breza, e ka lëçitur, e ka akuzuar si njeriun që vodhi floririn, për vrasje, por e mbrojti kur gjithçka ishte në dritën e diellit. Ishte mbrojtja më e pa zakontë, më makabër dhe masakruese ndaj pushtetit gjyqësor, por ai e bëri , e bëri me vetëdije, sepse i duhej. Në një rast tjetër, edhe më pak flagrant, ai nuk do e kishte bërë.

Ilir Meta ka parë gjithnjë te Berisha si vëllain e tij politik, e ka ditur mirë se, as njëri e as tjetri nuk e kanë politikën seriozisht, sidomos pas vitit 1997, nuk janë as të së majtës dhe as të djathtë: njërit i ka hipur familja mbi shpinë përmes fëmijëve, që u bënë si babai i tyre, të padëshiruar në SHBA; tjetrit përmes vetes dhe gruas së tij, para së cilës, edhe një grua diktatori do të dukej e ngopur. Skandali i zbuluar ditëve të fundit me Drini Kryemadhin, vjehrra e kunetër është kaq banal dhe vetëm maja e asaj që fshihet në babëzinë  e tyre. Ilir Meta nuk ia harron Berishës Gërdecin, por ia fal 21 janarin, sepse ishte pjesë. Berisha ia fal atij natën e burgimit, por nuk ia harron 1 prillin. As njëri e as tjetri nuk harrojnë se mund të jenë në radhë për të pasur pasoja të tjera. Për dreq, të dy, në kohë të ndryshme, kanë qenë kryeministra e presidentë dhe rajoni ballkanik ka përvojë të hidhur me shefat e qeverisë së tij.

A mund ta braktisë Ilir Meta , në një ditë jo të largët, dobësinë e tij, Berishën?

Pa asnjë dyshim, po!

Në ditët e fundit të presidencës së tij ia dha disa shenja se gjërat mund të lëvizin, nëse të tjerët do e pranonin. Pyetjes së një gazetari në konferencë shtypi, për ndërlidhjet e tij të ardhme me Edi Ramën, ai e la pa përgjigje, duke sjellë nëpër dhëmbë diçka që askush nuk e mori vesh. Presidenti që , me të gjitha mënyrat , nuk kishte dekretuar as ministrat e qeverisë dhe kishte bërë lojën e madhe me Gjykatën Kushtetuese, befas, jashtë atdheut, në oborrin e një konsullate, firmosi largimin nga Forcat e Armatosura të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, për të qenë në postin e tij, sikur të ishte fjala për të spostuar një rreshter . E pa zakontë në politikën e tij dhe e paperceptueshme të ndodhte ajo nga njeriu që kishte premtuar se pas 24 korrikut do të lëvizë gjithë gurët nga vendi. Ai shkoi edhe më tej: takoi gjithë vëmendje zonjën Kim, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, të cilës i kishte treguar se edhe Rusia e Korea Veriore kanë raketa dhe i kishte dërguar betimin e tij se është i gatshëm të vritej në Malin me Gropa.

Në politikë asgjë nuk është rastësi. Sidomos në një vend si i yni, ku njerëzit shohin edhe kollitjet e shefit për të bërë karrierën e tyre. Nuk është rastësi që në vendin tonë, lodhur nga e shkuara dhe shembur nga iluzionet e humbura qeverisin njerëz që nuk besojnë te njerëzit, që mund të vrasin për të qeverisur apo të hedhin vendin në greminat e së nesërmes nga lukunia e zhvatjes. As politika dy dyersh e Metës nuk është rastësi dhe as nuk përbën përjashtim nga rregulli meskin.

Burime të mirë informuara në institucione që monitorojnë Shqipërinë kanë sjellë mendimin se Meta është në kërkim të vazhdueshëm për një ngjizje të re politike, e cila , tani për tani, kalon nga e djathta, por emisarët e tij ia ka dërguar edhe te e majta.

Radikal nuk mund të jetë Ilir Meta për dy arsye të mjaftueshme: së pari, ai nuk ka më njerëz që ta ndjekin besnikërisht, veçse një tufë horash që ndjekin këdo që ka para dhe së dyti, pas shpinës së tij qëndron hija dhe enigma e Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo e fundit e tremb më shumë , pasi e di se pas saj vjen gjithnjë diçka tjetër. Ajo që i druhet më shumë: humbja e pasurisë dhe kthimi i tij në një hiç.

Ai e di krejt mirë se Rama nuk ka ndër mend, të paktën tani për tani, të hapë deriçkën për kundërshtarin e tij të vjetër, por as menteshën nuk e ka vënë. Të tre, kjo tresha e pa durueshme në politikë, po presin se si do të jenë raportet në zgjedhjet e ardhshme vendore, ku shefi i qeverisë ndjehet ende komod, shefi i pa certifikuar i opozitës ndjehet në ankth, ndërsa ish presidenti mbetet pas portës, në pritjen e tij të ankthshme,

Ai do të shohë se cila portë do të hapet sado pak për të. Dhe do të tentojë të futet me gjithë çizme. Si gjithë hajdutët e rëndomtë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *