4 Dhjetor, 2022

Parada e dëshmitarëve – Humbësit dhe fituesit në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve

 Parada e dëshmitarëve – Humbësit dhe fituesit në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve

Përgjatë këtij muaji kanë parakaluar para Komisionit Hetimor të Inceneratorëve disa zyrtarë të lartë të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre lidhur me ngritjen e tre impianteve të përpunimit të mbetjeve, në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Në mbledhjen e djeshme u paqaqit edhe kryeministri Edi Rama si dëshmitari i fundit, ndërkohë që sot Hashtag.al bën përmbledhje mbi prevalencën e gjithsecilit, avantazhet dhe disavantazhet dhe pikat kulmore të këtyre dëshmitarëve.

Shkëlqim Cani

Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar gjatë dëshmisë së tij para komisionit parlamentar për inceneratorët se e ka refuzuar dhënien e koncesionit pasi procedurat nuk përputheshin me ligjin.

Dëshmia e Canit konsiderohet më kryesorja dhe me një rëndësi të dorës së parë për dekonspirimin e “kokave” të projektit të inceneratorëve.

Armando Subashi

Një tjetër dëshmitar që tejkaloi parashikimet është Armando Subashi, kryetar i bashkisë Fier. Prej gati një viti ai ishte nën akuzë nga LSI, një pjesë e klanit rival në PS-në e Fierit e udhëhequr nga Baftjar Zeqaj dhe Petro Koçi si dhe një pjesë e medias si person që kishte kompromentuar bashkinë në lejet e miratimit dhe sigurimin e truallit për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit.

Për një vit rresht Subashi nuk kishte bërë asnjë koment publik. Kur ai u përball me Komisionin sqaroi në detaje se lejet nga bashkia ishin dhënë me kuorum të plotë në Këshillin Bashkiak, përfshirë edhe votat e opozitës dhe argumentoi se si trualli ku ndërtua inceneratori i Fierit ishte një prerogativë e ardhur nga Këshilli i Ministrave. Juristi i vjetër Subashi, arriti të shfrynte bujën mediatike duke shpjeguar qetësisht procedurën ligjore që e posedonte aq sa i bëri përshtypje edhe kryetares së Komisionit, Jorida Tabaku, e cila gjeti mënyrën për ta falenderuar atë si po bashkëpunonte me komisionin.

Alqi Bllako

Deputeti i PS-së, i cili ka një të shkuar edhe me PD-në e LSI-në, nuk ka pranuar të dëshmojë para komisionit parlamentar për inceneratorët me justifikimin se është pyetur në SPAK për 5 orë me radhë dhe se bëhej fjalë për një sekret hetimor.

Deputeti socialist ka theksuar se nuk ka pasur rol në dhënien e asnjë kontrate koncesioni. Ai ka pohuar se kur është futur në politike e ka marrë parasysh se ndaj tij mund të hidhej baltë por nuk mund të lejojë që t’i baltoset familja. Pas këtij pohimi ai është larguar nga komisioni.

Refuzimi i Bllakos për të dhënë detaje dhe shpjegime ligjore shkërrmoqi aureolën e tij si një jurist i zhdërvjelltë dhe i spikatur, reputacion që ai e gëzonte prej vitesh në elitën drejtuese politike të vendit.

Arben Ahmetaj

Zv.kryeministri Ahmetaj, ka pohuar në dëshminë e tij para komisionit parlamentar për inceneratorët se Klodian Zoton e njeh në distancë. Ndërkohë që sipas anëtarëve të PD-së në komisionit, sipas sistemit TIMS rezulton se ai ka udhëtuar 12 herë me Klodian Zoton në periudhën 2012-2019, vetë Ahmetaj s’e ka pranuar këtë gjë. I pyetur nëse ka udhëtuar me treshen Mërtiri-Zoto-Gugallja, Ahmetaj tha se ka bërë pafund udhëtime me miq e shok, ndërsa nuk ka pranuar se ka të bëjë me koncesionet e inceneratorëve pasi ato nuk kanë qenë tagër i Ministrisë së Ekonomisë.

Ahmetaj e përballoi me sukses seancën pyetësore për aktet administrative, por ai është tepër i ekspozuar ndaj një hetimi penal pasi fatkeqësia e aksidentimit të tij me Mirel Mërtirin është indicie tepër serioze që e kompromenton atë shumë më thellë nga çmund të tregojnë aktet administrative.

Damian Gjiknuri

Ish-ministri i Infrastrukurës, Damian Gjiknuri, gjatë dëshmisë së tij në komisionin parlamentar për inceneratorët ka deklaruar se njërin nga personat e shpallur në kërkim, Mirel Mërtirin, e njihte vetëm si fytyrë edhe pse ka foto të takimit të tij me këtë të fundit në një kafene. Për sa i përket Klodian Zotos ai pohoi se me të është takuar disa herë për arsye pune në inceneratorin e Elbasanit. Po kështu Gjiknuri ka pranuar se ka punuar me Zoton në Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa ka theksuar se jeta e ka bërë të njohë shumë biznesmenë.

Hulumtimet mediatike thyen dhe shkërmoqën përfundimisht rolin në hije dhe prapa kuintave të Gjiknurit në raport me biznesmenët e inceneratorëve Zoton dhe Mërtirin, e lidhi Gjiknurin katërcipërisht me këtë grup interesi dhe diferenca është e thjeshtë: Gjiknuri është bërë i prekshëm, ai e humbi avantazhin e të qenit në hije, është objekt i drejtpërdrejtë i hetimeve.

Belinda Balluku

Ministrja e Energjisë Balluku në dëshminë e saj para komisionit parlamentar për inceneratorët ka ironizuar kryetaren e komisionit Tabaku duke i kujtuar Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit. Balluku i është drejtuar Tabakut duke i thënë se shifra prej 430 milionë eurosh është si puna e 5 mijë delegatëve të PD-së në Pallatin e Kongreseve me 2 mijë karrige.

Ëngjëll Agaçi

Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit Rama, Engjëll Agaçi, ka hequr përgjegjësinë e tij dhe të kryeministrisë lidhur me procedurat për koncesionet e inceneratorëve. Ai ka mohuar njohjet me Mërtirin-Zoton-Gugalljan. Sipas Agaçit, Sekretari i Kryeministrisë nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me ligjin për koncesionet apo PPP. Lidhur me miratimin e 17 procedurave brenda një dite për inceneratorin e Elbasanit, Agaçi tha se për shkak të fluksit të punës e ka të pamundur të mbajë mend çdo vendim.

Erion Veliaj

Dëshmia e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj në komisionin parlamentar për inceneratorët është shoqëruar në pjesën më të madhe të tij nga debatet personale mes tij dhe kryetares së këtij komisioni, Tabaku. Të dy kanë bërë batuta me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë ndërkohë që Veliaj i është shmangur gjatë gjithë kohës pyetjeve që i vinin duke shmangur përgjigjet e duke e kthyer të gjithën në një debat personal.

Ai ka futur në përplasjen me Tabakun, lejen e ndërtimit për famljarët e saj në Tiranë, kreun e PD-së Basha, gjyqet për shpifje etj. Duhet thënë se e gjithë dëshmia e Veliajt në komision ka qenë një shfaqje.

Edi Rama

Kryeministri Rama ka qenë i fundit që ka dhënë dëshminë e tij para komisionit parlamentar për inceneratorët. Në pjesën e parë të dëshmisë kreu i qeverisë ka shpjeguar përmes batutash rolin e tij duke thënë se nuk i intereson se kush është mik me kë e kush fle me kë, pasi u pyet mbi lidhjet mes Ahmetajt e Gjiknurit me Mërtirin, Zoton e Gualljan. Po kështu ai tha se ndodhej në komision për zbardhjen e së vërtetës.

Ai iu shmang pyetjes mbi miratimin e 17 procedurave brenda një dite ndërsa lidhur me ish-ministrin Koka tha bëhej fjalë për një akuzë për korrupsion të tij si individ me palën tjetër. Rama tha se ndihej krenar për inceneratorët e Fierit e Elbasanit. Lidhur me pagesat ndaj Zotos e Gugalljas ai tha se ata nuk janë gjykuar ende po janë thjesht persona nën hetim e kësisoj pagesat do vijojnë. Ndërsa përmendi gjatë dëshmisë edhe vendimin e gjykatës për dënimin e Franceso Becchetit me 17 vite burg. Edhe në dëshminë e Ramës ashtu si edhe në atë të Veliajt, pati jo pak debate jashtë pyetjeve, kryesisht personale mes tij e anëtarëve demokratë në komision.

Emiriana Sako

Kryebashkiakja e Durrësit në detyrë, njëherazi kandidate e PS-së për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Emiriana Sako është larguar nga komisioni parlamentar për inceneratorët pa e përfunduar dëshminë. Ajo ka qëndruar pak dhe ndër argumentet që ka dhënë gjatë dëshmisë është se nuk mund t’i linte plehrat rrugëve të Durrësit. Po kështu ajo ka akuzuar anëtarët e PD-së në komision për arrogancë e injorancë para se të largohej në mënyrë demonstrative.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *