4 Dhjetor, 2022

5 njerëzit e Berishës në kupolën e drejtësisë që mbyllën dosjen CEZ

 5 njerëzit e Berishës në kupolën e drejtësisë që mbyllën dosjen CEZ

Nga Adriatik Doçi

Maxhoranca qeverisëse i ka kërkuar informacion Prokurorisë së Përgjithshme mbi fatin e dosjes CEZ me kosto mbi 400 milionë euro dëm ekonomik në kurriz të shqiptarëve, ku të kallëzuar janë ish kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha i dyshuar si sekser, sekseri kyç Nue (Noel) Nik Kalaj, ish ministri i Ekonomisë Genc Ruli, ish-ministri i Financave Ridvan Bode, ish zyrtarë të tjerë si Florion Mima, Enno Bozdo, Ledina Mandia etj. Afera CEZ ka tre momente kulmore, privatizimin korruptiv të vitin 2009, favorizime të paligjshme gjatë katër viteve si dhe ndërprerjen e kontratës në mënyrë të dhunshme dhe abuzive në 2013, duke shkarkuar një gropë financiare me vlerë mbi 400 mijë euro.

12 vite nga afera e dytë më e madhe në historinë e pluralizmit në Shqipëri, pas skandalit ARMO, sot nuk ka asnjë zyrtar të ndëshkuar, ndonëse provat dhe faktet penale janë flagrante. Dosja CEZ është mbyllur dhe blinduar që në vitin 2016 nga ish gjyqtarë dhe ish prokurorë të emëruar nga Sali Berisha në kupolën e drejtësisë që u shemb nga procesi i Vetingu.

Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje të rënda gjatë procedurave të shitjes së 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas privatizimit, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve, njohjen e borxhit të keq etj. Sipas një raporti auditimi të ministrisë, dëmi ekonomik ishte 414 milionë euro.

Në 13 korrik të vitit 2016, Prokuroria e Përgjithshme mbylli dosjes me arsyetimin se procedura e privatizimit të OSSH nga qeveria Berisha ishte në përputhje me ligjin. Në atë kohë kryeprokuror ishte Adriatik Llallës, i emëruar në këtë post nga Sali Berisha dhe Ilir Meta në dhjetor të vitin 2012. Llalla është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në shtator të vitit 2021 u dënua me dy vite burg për fshehje pasurie. Për t’i shpëtuar burgut, Llalla u arratis nga Shqipëri.

Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme u ankimua në Gjykatën e Lartë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Në 21 nëntor 2016, Gjykata e Lartë konfirmoi vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për mbylljen e dosjes CEZ. Ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët kanë vulosur mbylljen e dosjes CEZ janë Admir Thanza, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani, Medi Bici dhe Edmond Islamaj. Që të gjithë ishin emëruar nga Sali Berisha dhe PD-ja në këtë gjykatë.

Nga pesë gjyqtarët, sot vetëm Medi Bici vijon të jetë pjesë e drejtësisë. Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, iku nga drejtësia, duke evituar përballjen me Vetingun, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte si anëtare e Gjykatës deri kur t’i mbaronte mandati. Guxim Zenelaj u largua në të njëjtën mënyrë si Arjana Fullani. Admir Thanza i shkarkuar nga komisionet e Vetingut për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali, fshehjes, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë. Edmond Islamaj kaloi shkallën e parë të Vetingut, por u shkarkua për pasurinë nga Kolegji i Apelimit.
Më tej, Kuvendi i Shqipërisë dhe juristi Romeo Kara referuan edhe dy dosje të tjera në Prokurori, me mbi 6 mijë faqe, po për çështjen CEZ, por tashmë me prova dhe fakte të reja, ndërsa si të kallëzuar u shtuan Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe sekseri kryesor Nuel Kalaj. Të dy dosjet u mbyllën, duke përdorur si argument kryesor pikërisht vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Gjykatës së Lartë.

Në 29 shtator 2017, vetëm 10 ditë pas regjistrimit të çështjes, prokurorja Alma Bramo i kërkoi gjykatës mbylljen e dy dosjeve. Gjykata e riktheu pas dosjen, pasi nuk kishte pasur hetim. Çështjen e mori me short prokurori Ardian Braho. Në mars të 2018, Ardian Braho dha dorëheqjen nga hetimi i dosjes, ndërsa çështjen e mori Erjon Imeraj. Pas tre vitesh, Prokuroria e Tiranës kërkoi sërish mbylljen e dosjes. Këtë radhë kërkesa u pranua nga gjyqtari Lazër Sallaku, i cili ka mbyllur edhe dosjen e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në lidhje me dosjen e lobimit.

Një nga argumentet kryesore të gjyqtarit Sallaku për mbylljen e dosjes CEZ ishte pikërisht vendimi i Gjykatës së Lartë i nëntorit të vitit 2016. Në vitin 2017, Kuvendi i Shqipërisë depozitoi në Prokurorinë e Përgjithshme raportin me konkluzionet e komisionit hetimor për çështjen CEZ, ku të kallëzuar ishin sërish Sali Berisha, Shkëlzeni dhe grupi i ish ministrave dhe ish drejtorëve. Raporti u referua në Prokurorinë e Përgjithshme pasi nuk ishte ngritur ende SPAK-u. Prokuroria e Posaçme u konstituua në fund të vitit 2019.

Prokuroria e Përgjithshme duhet ta kishte referuar raportin në SPAK, meqenëse Berisha dhe ish ministrat janë subjekte të SPAK-ut. Pesë vite më vonë, Kuvendi kërkon informacion për fatin e kësaj dosje. Por, fati i saj duket se është vendosur që nga Adriatik Llalla dhe 5 ish anëtarët e Gjykatës së Lartë në vitin 2016.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *