4 Dhjetor, 2022

3 vjet i padëshiruar nga SHBA, pas Berishës kambanat e alarmit po bien për Ilir Metën

 3 vjet i padëshiruar nga SHBA, pas Berishës kambanat e alarmit po bien për Ilir Metën

Nga Adriatik Doçi

Ndonëse jo zyrtarisht siç operuan me Sali Berishën në 19 maj 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur në heshtje presidentin Ilir Meta si të padëshirueshëm që nga viti 2019, kur Meta u bashkua zyrtarisht në një front me Sali Berishën kundër reformës në drejtësi, investimit më të madh të SHBA-BE në Shqipëri. Prilli i vitit 2018 shënon edhe takimet e fundit të Ilir Metës për përfaqësues të lartë të qeverisë amerikane. Pas pranverës së vitit 2019, Ilir Meta ka mundur vetëm që të bëjë ndonjë fotografi me senatorë dhe kongresmenë, nëpër forume ndërkombëtare.

Izolimi i Ilir Metës nga diplomacia amerikane u theksua disa muaj më pas, në shtator të vitit 2019, gjatë vizitës në Tiranë të drejtorit për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik. Zyrtari i lartë amerikan përjashtoi presidentin Ilir Meta nga axhenda e takimeve. Kostelancik gjeti kohën për të takuar edhe ish deputetët Rudina Hajdarin dhe Ralf Gjonin, por jo Ilir Metën. Kostelancik i dha edhe një mesazh Ilir Metës, teksa mbështeti dhe vlerësoi reformën në drejtësi, të cilën Meta e kishte shpallur komplot i mafies ndërkombëtare.

Në 30 qershor 2021, në Tiranë zbarkoi për një vizitë disaorëshe Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker. Zyrtari i lartë amerikan takoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën, ndërsa shmangu Ilir Metën. Përjashtimi i Metës nga axhenda tashmë nuk ishte më surprizë. Befasuese ishte nëse Reeker do të takohej me Metën.

7 javë para vizitës së Reeker, në 23 prill 2021, Ilir Meta bëri disa deklarata luftarake kundër SHBA, i akuzoi amerikanët si vrasës si dhe sulmoi me një fjalor të ulët ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ishin pikërisht këto deklarata që vunë në lëvizje Kuvendin për shkarkimin e Ilir Metës si President, vendim i cili nuk është marrë ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Në Presidencë pati nervozizëm, ndërsa u përhap një version sikur Reeker kishte një axhendë shumë të ngjeshur. Por, Reeker pati kohë për një drekë pune me ministrat e Jashtëm, Mbrojtjes dhe Drejtësisë në Tiranë. Madje, Reeker u takua edhe trashëgimtarin e fronit mbretëror Princ Leka në rezidencën e familjes mbretërore, duke theksuar më shumë shmangien e Metës.

Ditën e sotme ka nisur një vizitë dyditore në Tiranë  dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar. Jo rastësisht presidenti Ilir Meta është përjashtuar nga axhenda e takimeve të zyrtarit të lartë amerikan. Vizita e Gabriel Escobar thekon edhe më tej ndarjen, me sa duket përfundimtare, të diplomacisë amerikane nga Ilir Meta dhe aleati i tij, Sali Berisha.

Zyrtarët e lartë të SHBA kanë pasur të njëjtën qasje distancuese edhe ndaj Sali Berishës, para se Departamenti Amerikan i Shtetit ta shpallte non grata në 19 maj 2021, për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë, minim të demokracisë dhe për mbrojtjen e aleatëve të korruptuar nga veprimi i drejtësisë.

A sinjalizon qëndrimi i zyrtarëve të lartë amerikanë shpalljen e Ilir Metës non grata, si në rastin e Berishës, pas shkarkimit të mundshëm nga Gjykata Kushtetuese apo mbarimit të mandati si presidentit? Gabriel Escobar paralajmëroi sot se pas goditjes së Slai Berishës, personazhe të tjerë do të shpallen non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Dhe kambanat duket se bien për Ilir Metën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *