3 Dhjetor, 2023

21 janari i tradhtuar

 21 janari i tradhtuar

11 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku duhej të ishte vendi më i sigurtë, mes dy “qeverive”, Legjislativit dhe Ekzekutivit, 4 protestues paqësorë u vranë me urdhër të ish-kryeministrit që më pas fshiu filmimet, manipuloi provat dhe pengoi drejtësinë.

Dhjetëra u plagosën, qindra të tjerë u dhunuan në bulevard dhe në komisariate. Nuk thuhet shpesh por Gjykata ka dënuar mbi 100 pjesëmarrës të demonstratës së 21 janarit.

Askujt nuk i gjeti armë, dinamit, shishe molotov, çadra pistoletë, i dënoi sepse ashtu kishte dashur urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit. Shteti “i tyre” i dënoi, pasi i rrembeu rrugëve dhe i torturoi.

21 janari i këtij viti do shkojë si të tjerët. Ndoshta Qeveria ka bërë gati ca adete. Ndoshta do bëhet edhe ndonjë manifestim i rastit, tani më i lirë; do thuhen prapë fjalët që duhen thënë për “zbulimin e së vërtetës” megjithëse ajo dihet.

Të nesërmën sheshi do jetë si gjithnjë, me njerëzit dhe mjetet e zakonshme, shiu dhe era do marë lulet e vendosura një ditë më parë, fjalët e kryeministrit do jenë në faqet e gazetave dhe familjarët do kthehen në hallet e tyre.

11 vjet pas 21 janarit, një grusht vrasësish, bashkëpunëtorësh në vrasje, apologjetët e tyre në media vazhdojnë të sfidojnë hapur një shoqëri të tërë dhe vrasësi na përqesh i lirë.

Kështu që le t’i lemë sot ngushëllimet për gratë, familjarët, fëmijët e viktimave, ndonjë tashmë i vetëvrarë. Më mirë ta mbajmë gojën mbyllur; askush të mos dalë në rrugë të kujtojë të rënët; le t’ua lëmë kujtimin e tyre vetëm të afërmve.

Sepse ne të tjerët, politikanë sharlatanë që premtuan ndëshkimin, prokurorë, gjykatës, shoqëri civile, edhe pse nuk na i ndjen lëkura shollë, tanimë jemi jo vetëm të mbuluar nga turpi. Por edhe pjesë e krimit nga mosndëshkimi i tij.

 

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *